Reportazh

Saranda aty ku gjen “parajsen”


Ajri dhe uji, gjelbërimi sinkronizohen me bukurinë natyrore dhe me objektet e shumta historike si në asnjë vend tjetër. Saranda po bëhet gati për orën e saj, sezonin turistik. Gjithçka duket se ka mbajtur frymën në pritje të tij. Duket se ka një vëmendje të veçantë më shumë se njerëzore në vendin që Zoti i ka falur kaq e kaq gjëra të mrekullueshme. Nëse ka udhëtim që e nis me dëshirë të madhe, e asnjëherë nuk më lodh e më mërzit me gjithë vështirësitë e infrastrukturës është pa dyshim ai drejt Sarandës. Nuk e di si ndiheni ju mbasi tek unë mund të ndikojë fakti që kam kaluar këtu një pjesë të mirë të jetës sime. Kur jetoja këtu e doja vendin dhe njerëzit, por vlerat e vërteta të Sarandës dhe krejt bregdetit të Jonit i ndjej realisht tani që vij rrallë dhe si vizitor. Pothuajse gjithnjë kam zgjedhur të shkoj në Sarandë, duke përshkruar rrugën e bregdetit.

Pjesa tjetër nga Dhërmiu në Sarandë i ngjan një kantieri gjigant ku punohet në çdo kilometër me një ritëm të pabesueshëm.Makina gjarpëron në rrugën buzë detit drejt Sarandës, që është edhe epiqendra e udhëpërshkrimit tonë. Kini durim, për pak do të mbërrijmë në destinacion, e unë do ju tregoj për shumë gjëra që ju presin në Sarandë dhe rrethinat e saj.

Ejani në Sarandë…

Nuk e kam fjalën për tabelën e vendosur në hyrje të qytetit në Qafën e Gjashtës, por për mikpritjen e vërtetë që banorët e qytetit turistik iu rezervojnë vizitorëve të shumtë në këto muaj të sezonit turistik. E kam zakon sa herë shkoj në Sarandë të ndaloj në hyrjen e saj për të soditur natyrën e bukur, e sidomos për të mbushur mushkërinë me ajrin e pastër. Këtu duket se merr kuptim të plot fjala të mbushësh me frymë, pasi e ndjen në krejt qenien tënde cilësinë e ajrit që thith. Ndoshta mushkëritë tona e ndiejnë më shumë edhe për shkak të kontrastit të madh me smogun që jemi të detyruar të thithim çdo ditë në Tiranë. Po nejse, le të vazhdojmë udhëtimin tonë për të parë nga afër çfarë vlerash, kualitetesh e kënaqësish na afron Saranda dhe sarandjotët.

Turizmi kulturor, një alternativë e pazëvendësueshme

Turizmi kulturor është pa dyshim një tjetër vlerë që Saranda u ofron vizitorëve. Pasuritë arkeologjike që kulmojnë me Butrintin e famshëm. Këtu mund të shohësh, të prekësh e të ndjesh historinë disamijëvjeçare të ruajtur të paprekur nga vitet. Është i vetmi vend në rajon ku janë pranë e pranë një kishë e një xhami dhe një sinagogë, një sintezë historike jo vetëm e qytetërimit të lashtë, por edhe të tolerancës fetare që karakterizon qytetin dhe gjithë Shqipërinë. Kalaja e Lëkurësit është jo vetëm një simbol arkeologjik dhe ia rezistencës për identitet kombëtar, por edhe një shprehje e shenjtërisë së qytetit.

Rritja e vazhdueshme e numrit të turistëve të huaj është treguesi më i mirë për vlerat e perlës sonë turistike. Ejani në Sarandë edhe ju që keni shkuar para disa vitesh dhe mund të keni të drejtë të mos më besoni. Ejani dhe shijoni ndryshimin! Shijoni këtu gërshetim të historisë, traditës dhe modernes. Ujin dhe ajrin e pastër, ushqimin e freskët dhe të shijshëm. Mos u mendoni gjatë. Thjesht! Vendosni dhe nisuni! Mos nguroni! A nuk është ky është vendi që kanë zgjedhur të jetojnë edhe shenjtorët?!

Saranda aty ku gjenë qetësinë…

Leave a comment

Design a site like this with WordPress.com
Get started