Mirë se vini në Sarandë

Saranda është porta jugore e Rivierës Shqiptare dhe, sigurisht, një nga qytetet më të mira për t’u vizituar. Kjo edhe për shkak të faktit se ndodhet pranë një prej perlave të vendit, Plazhit të Ksamilit.

Një nga gjërat më të mira që mund të bëni në Sarandë është të rezervoni një nga turet ditore me varkë, të cilat nisen nga bulevardi dhe shkojnë në plazhet e Kakomesë dhe të Krorëzës. Për vetëm 30 euro, ju mund ta kaloni ditën duke vizituar plazhet më të mira, të cilat dallojnë Shqipërinë.

Ajo që bie veçanërisht në sy të çdo vizitori në qytetin e Sarandës është pa dyshim pastërtia. Gjithmonë kam pasur mendimin se Saranda është qyteti më i pastër në Shqipëri. Kjo ka qenë një cilësi e hershme e qytetit edhe atëherë kur nuk bëhej fare fjalë për turizëm. Është më shumë një traditë qytetare e trashëguar dhe e ruajtur me fanatizëm brez pas brezi. Rrallëherë të bie rasti të shikosh ndonjë letër në rrugë, për të mos folur pastaj për pastërtinë që është pa dyshim e nivelit evropian. Mendoja se bumi i ndërtimeve do të kishte krijuar papastërti, baltë e inerte siç jemi mësuar në Tiranë, por çuditërisht në rrugë nuk kishte asnjë shenjë që të kujtonte se këtu ndërtohej. Furnizimi me ujë është ndoshta një nga arritjet e mëdha të dy-tre viteve të fundit të Sarandës, që me përjashtime të vogla, ka furnizim 24 orë me ujë të pijshëm. Prania e bollshme e ujit ka zgjidhur një nga problemet jetike te bizneset e turizmit dhe investimet në këtë fushë kanë qenë të jashtëzakonshme.Megjithatë, gjithçka nuk mbaron këtu. Saranda ka një tendencë të dukshme drejt standardeve, si e vetmja rrugë për t’u bërë një konkurrent i denjë ndërkombëtar për turizmin.

Saranda

Leave a comment

Design a site like this with WordPress.com
Get started